17/02/2021
Ne duam jetën ndaj edhe kujdesemi maksimalisht. Kujdesemi për veten por edhe për të tjerët! Ky virus nuk mund të na e ndalojë rrugëtimin tonë.
Sot në shtëpinë e të moshuarve “Te Zotërinjtë" u bë vaksinimi i personave rezidentë në këtë qendër dhe stafit që përkujdeset çdo ditë.
Ne kemi respektuar që nga fillimi i pandemisë dhe deri më tani të gjitha rregullat e Komitetit të Ekspertëve dhe qeverisë dhe do vijojmë ta bëjmë derisa këtë virus ta mposhtim plotësisht. Nuk ka qenë aspak e lehtë për qendrën tonë që të gjithë të qëndrojnë të izoluar prej pothuajse një viti por e kemi bërë sepse shëndeti ynë është mbi gjithçka. Fatmirësisht deri tani ia kemi dalë dhe kemi bindjen se do të triumfojmë. Nuk mund të dorëzohemi!
Një falenderim gjithë rezidentëve për mirëkuptimin dhe durimin e tyre dhe bashkëpunimin që na kanë ofruar pa kushte, një falenderim familjarëve dhe të afërmve që na kanë mbështetur duke na e bërë më të lehtë punën tonë. Jemi të lumtur që nuk kemi asnjë humbje jetë dhe besojmë se nuk mund të kemi edhe në vazhdimësi.
Sot në qendrën e të moshuarve “Te Zotërinjtë" u morën dozat e para të vaksinës dhe sipas rregullave do presim me padurim edhe dozat e dyta dhe kështu me radhë fazën e dytë të vaksinimit për të qenë më pas më të lirë por gjithmonë nën kujdesin maksimal.
Falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor për Rajonin e Veriut, Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe këdo tjetër që u kujdes për vaksinimin dhe për këto ditë të vështira!
Të gjithë bashkë mundemi!