15/11/2021
Kush është ITI-RI?
ITI-RI- Instituti i Përkthyesve, Interpretëve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Që prej 30 vjetësh, ITI-RI, pjesë e Universitetit të Strasburgut, formon specialistë në fushën e përkthimit, interpretimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është një institut universitar, pjesë e njësisë arsimore dhe shkencore Gjuhët dhe Shkencat Humane të Aplikuara. ITI-RI ofron mastera për studentët të cilët kanë një diplomë bachelor në Përkthim, Interpretim apo Marrëdhënie ndërkombëtare.
Të tre Masterat në fushën e Përkthimit njihen nga Drejtoria e Përgjithshme e Përkthimit pranë Komisionit Europian si tre ndër dhjetë studimet universitare më të mira franceze. ITI-RI është pjesë e Shoqatës Franceze për Formimet Universitare në fushën e Përkthimit si edhe e rrjetit OPTIMALE .
Në vitin e parë (semestri 1&2) ITI-RI ofron një trung të përbashkët për të gjithë masterat në fushën e përkthimit. Në vitin e dytë (semestri 3&4) bëhet një ndarje sipas specialiteteve, përkatësisht përkthim profesional (ku përfshihen fusha të ndryshme të specialitetit), përkthim audiovizual dhe përkthim letrar.
Krahas formatit standard të diplomave, ITI-RI ofron dhe diploma të delokalizuara në Përkthim, si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim europian me shumë institucione arsimore të huaja. Institucionet që lëshojnë diplomën universitare të ITI-RI-së në përkthim/interpretim janë :
• Scientific College of Greece, Athinë.
• l’Institut Français de Thessalonique / I.F.T.
• l’Istituto Superiore per Interpreti e Traduttori de Milan / I.S.I.T.
• l’Université Hacettepe, Ankara (Turquie) / Université Hacettepe
• l'Université des Langues d'Azerbaïdjan / A.D.U.
Cilat janë përparësitë e këtij masteri të delokalizuar ?
Bashkëpunimi mes Universitetit të Strasburgurt - ITIRI dhe Universitetit të Tiranës – FGJH u jep mundësi studentëve shqiptarë të ndjekin po në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja studimet në vitin e parë Master të delokalizuar me kohë të plotë në fushën e Përkthimit Profesional/Interpretim, dega Përkthim Profesional sipas një programi të përbashkët të miratuar nga dy institucionet.
Studentët që ndjekin këtë profil marrin diplomën universitare “DU 1 – Mjete dhe orientim profesional në Përkthim” lëshuar nga Universiteti i Strasburgut, e cila përkon me përfundimin e nivelit të parë Master. Ky vit akademik zhvillohet në dy semestra dhe përmban 60 kredite ECTS (30 kredite semestri I + 30 kredite semestri II).
Pranimi i studentëve
Në këtë Master pranohen studentët që kanë mbaruar:
- nivelin Bachelor (180 kredite ECTS) në cilëndo degë studimi, në të gjitha universitetet:
- që zotërojnë në mënyrë të kënaqshme 2 (dy) gjuhë të huaja krahas shqipes.
Studentët duhet të kalojnë me sukses një test pranimi që konsiston në njohjen jo vetëm të gjuhës shqipe, por dhe të dy gjuhëve të huaja (Shtojca 1). Po ashtu, studentët duhet të kenë njohuri të kënaqshme edhe mbi aktualitetin ndërkombëtar. Studentëve të regjistruar u jepet karta e studentit nga Universiteti i Strasburgut.
Tarifat e aplikimit dhe të studimit
Studentët e pranuar në këtë nivel, do të paguajnë tarifat vjetore të shkollimit të kërkuara nga Universiteti i Strasburgut (rreth 612 Euro), si edhe tarifën e regjistrimit të FGJH-së.
Çfarë ndodh pas mbarimit të vitit të parë ?
Marrëveshja mes UT/FGJH dhe UFR LSHA/ITIRI është e vlefshme vetëm për vitin e parë Master. Pasi pajiset me diplomën e vitit të parë Master 1 në përkthimin profesional dhe «DU 1 – Mjete dhe orientim profesional në Përkthim » lëshuar nga Universiteti i Strasburgut, studenti ka mundësinë të vazhdojë vitin e dytë Master 2, sipas zgjedhjes së tij, në secilin prej universiteteve të mëposhtme:
1. Në FGJH, Tiranë, Shqipëri : meqenëse këtë status e ka fituar që vitin e parë. Plani mësimor i vitit të parë Master për studentët e FGJH dhe studentët e UFR LSHA/ITIRI është i njëjtë dhe shmang ekuivalentimin e krediteve duke mundësuar kalimin automatikisht në vit të dytë Master në FGJH.
2. ITIRI – Strasburg, Francë mundëson regjistrimin në vitin e dytë Master, emërtimi Gjuhë dhe Ndërkulturalitet, specialiteti Përkthim profesional dhe Interpretim, dega Përkthim Profesional në Universitetin e Strasburgut.
3. Scientific College of Greece, Athènes, Greqi / Master në Përkhim professional, Master 2 në Interpretim / https://scg.edu.gr/
4. Istituto Superiore per Interpreti e Traduttori de Milan Itali / I.S.I.T. Master ne Conference Interpreting International Communication, http://www.fondazionemilano.eu/lingue/english
5. Université Hacettepe, Ankara (Turquie) / Université Hacettepe http://www.mtb.hacettepe.edu.tr/fmtprog_en.php
6. l'Université des Langues d'Azerbaïdjan / A.D.U.
Për ndjekjen e vitit të dytë, studentët mund të përfitojnë nga programe të ndryshme financimi të tilla si programet ERASMUS+ apo edhe mundësi të tjera financimi.