06/10/2025
Përshendetje të gjithëve.
Në faqen e studios Art -Auditing nga sot do të kemi një rubrikë e cila do të vendoset në shërbim të bizneseve për të marrë informacion ose për të pyetur për problematika që mund të kenë.
Fokusi do të jetë tek bizneset e vogla të cilat nuk kanë mundësi financiare për të paguar konsulentë financiar.
Rubrikën sot po e filloj me një informacion në lidhje me Limitin e Arkës (gjendjen e parave cash) që subjektet tregtare duhet të mbajnë, në bazë të ligjit.
INFORMACION PËR LIMITIN E ARKËS
Nisur nga implementimi i procesit të fiskalizimit kanë ndodhur ndryshime të shumta ligjore,
mes tyre është edhe ai që lidhet me gjendjen e sasisë së mjeteve monetare (parave) e cila
lejohet të mbahet cash.
Më poshtë keni ndryshimin ligjor i cili është shtesa e Nenit 59/2 në ligjin për procedurat
tatimore.
Në pikën 2, nënpikat a, b dhe c mund të evidentoni se ku përfshihet biznesi juaj në mënyrë që
të menaxhoni në përputhje me ligjin, si sh*tjet me para në dorë po ashtu edhe tërheqjet që ju
bëni nga bankat.
Neni 59/2
Limiti i arkës
1. TATIMPAGUESI, që lëshon faturë, përveç në rastet e përcaktuara në pikën 2 të nenit 59/1 të
këtij ligji, mund të mbajë para cash (kartëmonedha dhe monedha) në arkën e vet në fillim të
çdo dite pune deri në shumën maksimale të arkës. Shuma e parave cash është shuma fillestare
e parave (kartëmonedha dhe monedha) që tatimpaguesi mund të ketë në arkën e tij në fillim të
ditës së punës ose të ndërrimit të çdo operatori. Shumën maksimale të parave cash e përcakton
tatimpaguesi që lëshon faturë, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në
përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi
i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.
2. KRITER për përcaktimin e shumës maksimale të arkës së tatimpaguesit, që lëshon faturë,
është niveli i qarkullimit vjetor të tatimpaguesit që lëshon faturë. Shuma maksimale e lejuar e
parave cash në arkë për tatimpaguesit skedulohet si më poshtë:
a) për tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të mëparshëm tatimor, deri në 2 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 150 000 lekë;
b) për tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të mëparshëm tatimor, mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 500 000 lekë;
c) për tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të mëparshëm tatimor, mbi 10 milionë lekë, shuma maksimale e lejuar e parave cash në arkë është deri në 500 000 lekë ose 5% të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.
Në rastet kur një tatimpagues fillon veprimtarinë gjatë vitit kalendarik, limiti maksimal i lejuar i
parave cash në arkë përcaktohet në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike,
referuar
shumës së qarkullimit të parashikuar deri në fund të vitit.
3. SHUMA maksimale e arkës përcaktohet për tatimpaguesin, që lëshon faturë, në tërësi dhe
Brenda kësaj shume tatimpaguesi që lëshon faturë mund të përcaktojë maksimumin e parave cash në arkë për çdo njësi të organizimit ose vendit të ushtrimit të aktivitetit të biznesit.
4. SHUMA maksimale cash e arkës, sipas pikës 2 të këtij neni, nuk zbatohet për bankat dhe
institucionet e tjera financiare jobankare.
5. TATIMPAGUESI që lëshon faturë, i cili kryen transaksione këmbimi monedhe, pavarësisht nga
dispozitat e pikave 2 e 3 të këtij neni, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën
5 000 000 lekë ose 5% të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.
6. TATIMPAGUESi, që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune dhe para lëshimit të
faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike (internetit) të vendosur me administratën
tatimore qendrore, që e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë
informacionin mbi shumën fillestare të parave cash në arkë për çdo pajisje elektronike të
faturimit.
(Ndryshuar me Ligj Nr. 83/2022, datë 24.11.2022. Botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 173, datë 22
Dhjetor 2022).