15/09/2025
RRBDSH Zvicër në qendër të vëmendjes nga Albinfo.ch – Një histori suksesi e diasporës shqiptare
Jemi të nderuar të ndajmë me ju një lajm të rëndësishëm: platforma prestigjioze Albinfo.ch ka publikuar një artikull të veçantë për Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër (RRBDSH Zvicër), duke e cilësuar rrjetin tonë si një shembull frymëzues të diasporës shqiptare në Zvicër dhe një histori të vërtetë suksesi.
Në këtë artikull, kryetarja jonë Dr. Fatime Berisha Imeri ka theksuar vizionin dhe misionin tonë: të jemi një urë lidhëse për të bashkuar bizneset shqiptare, për të ndarë përvoja, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të nxitur investime në vendlindje. Ky rrjet është një platformë ku ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër gjejnë mbështetje, frymëzim dhe mundësi të reja për zhvillim.
RRBDSH Zvicër u themelua në vitin 2012 nga ndërmarrësi dhe filantropi Fehmi Fetahi, i cili sot shërben si President i Bordit. Që nga ajo kohë, rrjeti ka organizuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme si Business Connection në Dietikon dhe Spreitenbach, takime B2B dhe evente me figura të njohura të biznesit dhe politikës. Këto iniciativa kanë forcuar bashkëpunimin mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe kanë rritur dukshmërinë e diasporës sonë në ekonominë zvicerane.
Rrjeti ynë është aktiv në sektorë të ndryshëm si tregtia, teknologjia, gastronomia, ndërtimtaria, shëndetësia dhe shumë fusha të tjera, duke krijuar ura bashkëpunimi me organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Switzerland Global Enterprise dhe Odën Ekonomike të Kosovës.
Megjithëse kemi arritur shumë, sfida jonë mbetet bashkimi i potencialit të madh të bizneseve shqiptare në Zvicër dhe profesionalizimi i mëtejshëm i shërbimeve tona. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar forcat, mund të arrijmë progres edhe më të madh dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë.
Mesazhi ynë për ju, bizneset shqiptare në Zvicër:
“Të gjitha bizneset shqiptare janë të mirëseardhura në RRBDSH Zvicër. Vetëm duke u mbështetur e duke bashkëpunuar, arrijmë zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm.”