31/08/2026
Kurset devizore sipas mënyrës së kuotimit: Si llogariten?
Kursi devizor është raporti i këmbimit ndërmjet dy monedhave. Sipas mënyrës se si paraqitet dhe llogaritet ky raport, kemi kuotim të drejtpërdrejtë, kuotim të tërthortë dhe kurs të kryqëzuar.
Kuotimi i drejtpërdrejtë
Ky kuotim na tregon sa njësi të monedhës vendase duhen për një njësi të monedhës së huaj.
Marrim si shembull kursin:
1 euro = 61,50 denarë
Për të llogaritur vlerën e 500 eurove në denarë, shumëzojmë:
500 × 61,50 = 30.750 denarë
Kur duam të bëjmë llogaritjen e kundërt, pjesëtojmë:
30.750 ÷ 61,50 = 500 euro
Me pak fjalë: nga euro në denarë shumëzojmë, ndërsa nga denarë në euro pjesëtojmë.
Kuotimi i tërthortë
I njëjti kurs mund të paraqitet edhe në drejtim të kundërt.
Nëse një euro vlen 61,50 denarë, vlerën e një denari në euro e gjejmë kështu:
1 ÷ 61,50 = 0,01626 euro
Kështu, të njëjtin raport mund ta shkruajmë në dy mënyra:
1 euro = 61,50 denarë
1 denar = 0,01626 euro
Ndryshon vetëm drejtimi i kuotimit, jo raporti ndërmjet monedhave.
Kursi i kryqëzuar
Kursi i kryqëzuar përdoret kur dy monedha nuk kanë kurs të dhënë drejtpërdrejt, por mund të lidhen përmes një monedhe të tretë.
Për shembull, kemi:
1 euro = 61,50 denarë
1 euro = 100 lekë shqiptarë
Duam të gjejmë sa denarë vlen një lek.
Meqë të dyja monedhat janë shprehur përmes euros, pjesëtojmë:
61,50 ÷ 100 = 0,615
Rezultati është:
1 lek shqiptar = 0,615 denarë
Për ta gjetur raportin në drejtimin e kundërt, e përmbysim kursin:
1 ÷ 0,615 = 1,626
Kjo do të thotë:
1 denar = 1,626 lekë shqiptarë
Të njëjtin rezultat mund ta gjejmë edhe përmes shumëzimit:
1 denar = 0,01626 euro
1 euro = 100 lekë shqiptarë
0,01626 × 100 = 1,626 lekë shqiptarë
Rregulli është ky:
Kur monedha ndërmjetëse gjendet në të njëjtën anë të të dyja kuotimeve, kurset pjesëtohen. Kur gjendet në anë të kundërta, kurset shumëzohen.
Për të mos gabuar, shkruajini gjithmonë njësitë pranë kursit. Monedha ndërmjetëse duhet të eliminohet, ndërsa në rezultat duhet të mbeten dy monedhat që kërkohen.
Koka.mk