14/07/2025
Fiskalizimi i bllokave tatimorë, vetëm në mënyrë elektronike
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë tatimpaguesit se, duke filluar nga data 21.07.2025, fiskalizimi i bllokave tatimorë do të realizohet vetëm në mënyrë elektronike sipas Udhëzuesit Nr. 01/2025 për Procedurat dhe Formën e Fiskalizimit të Bllokave Tatimorë, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së.
Klikoni linkun:https://www.atk-ks.org/wp-content/uploads/2025/07/Udhezues-01-2025-per-procedurat-dhe-formen-e-fiskalizimit-te-bllokave-tatimor.pdf , për ta shkarkuar Udhëzuesin.
Ky Udhëzues përcakton rregullat dhe hapat që duhet të ndjekin tatimpaguesit për fiskalizimin e bllokave tatimorë, në rastet kur:
• Nuk janë të pajisur me Pajisje Elektronike Fiskale / Sisteme Fiskale (PEF/SF);
• Pësojnë ndërprerje të përkohshme apo prishje të pajisjes fiskale;
• Janë në periudhën kalimtare deri në instalimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).
Fiskalizimi i bllokut tatimor në këto raste bëhet përmes Sistemit Elektronik EDI, duke gjeneruar Kod Unik të Bllokut Tatimor për secilin bllok, i cili mund të përmbajë maksimum 50 kuponë tatimorë.
Për të kryer fiskalizimin e bllokut tatimor, tatimpaguesi duhet të kyçet në Sistemin EDI, të zgjedh menynë “Fiskalizimi”, nën-menynë “Fiskalizimi i bllokut tatimor”, e cila do të publikohet nga ATK-ja më datë 21.07.2025. Përmes këtij shërbimi, duhet të plotësohet formulari përkatës me të gjitha të dhënat e kërkuara për gjenerimin e Kodit Unik.
Për vëmendjen tuaj, kuponi tatimor i cili kërkohet të fiskalizohet, duhet të përmbajë të dhënat e domosdoshme të tatimpaguesit dhe të transaksionit, përfshirë arsyen e përdorimit të kuponit tatimor në vend të kuponit fiskal të gjeneruar nga PEF/SF/SEF, ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzuesin Nr. 01/2025 për Procedurat dhe Formën e Fiskalizimit të Bllokave Tatimorë.
Theksojmë se çdo kupon tatimor i cili nuk i përmban elementet e kërkuara sipas udhëzuesit përkatës, nuk do të konsiderohet dokument i vlefshëm tatimor dhe nuk do të pranohet nga ATK-ja. Në raste të tilla, ndaj tatimpaguesve mund të ndërmerren masa ndëshkuese konform dispozitave të Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore.
Tatimpaguesit të cilët përballen me probleme teknike ose nuk janë ende të pajisur me Pajisje Elektronike Fiskale/Sistem Fiskal apo Softuer Elektronik Fiskal, mund të përdorin kuponë tatimorë të fiskalizuar paraprakisht përmes sistemit EDI, si zgjidhje alternative në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Kontribuo për mirëqenien e përbashkët – kërko Kuponin Fiskal!
Administrata Tatimore e Kosovës