Zyra Kombëtare e Auditimit/National Audit Office

Zyra Kombëtare e Auditimit/National Audit Office Zyra Kombëtare e Auditimit - Faqe Zyrtare

"Ne ju mirëpresim dhe ju inkurajojmë të vizitoni faqen tonë, përmes së cilës synojmë të ofrojmë një përmbajtje të dobishme, e cila nxjerr në pah atë çka Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është duke bërë. Opinionet dhe pikëpamjet në faqen tonë përfaqësojnë mendimet e secilit përdorues dhe ato nuk reflektojnë, në asnjë mënyrë, pikëpamjet e ZKA-së"

ZKA-ja mori pjesë në tryezën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit: Nga rreziqet te zgjidhjet” Drejtori i Departamenti...
11/09/2026

ZKA-ja mori pjesë në tryezën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit: Nga rreziqet te zgjidhjet”

Drejtori i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Faruk Rrahmani, mori pjesë në tryezën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit: Nga rreziqet te zgjidhjet”, organizuar nga Sbunker, ku u prezantuan tre raporte mbi rreziqet e korrupsionit dhe u diskutua për adresimin e tyre.

Gjatë prezantimeve në panel, z. Rrahmani theksoi rolin e auditimit në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe kontrolleve të brendshme, duke veçuar gjetjet e auditimeve në menaxhimin e fondeve publike, prokurimin publik dhe luftimin e mashtrimit e korrupsionit. Ai gjithashtu foli për bashkëpunimin e ZKA-së me institucionet e drejtësisë dhe mekanizmat e krijuar për identifikimin dhe trajtimin e rasteve me elemente të mashtrimit apo veprave penale.

Pjesë e panelit ishte edhe drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, dhe prokurori i Njësisë për Lëndët e Korrupsionit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Zef Prendrecaj.

Në përmbyllje të tryezës përfaqësuesit e institucioneve u pajtuan me gjetjet e raporteve dhe u zotuan se do t’i adresojnë në përputhje me mandatet e tyre.

ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës dhe të pajtuesh...
07/09/2026

ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës dhe të pajtueshmërisë 2026/2027

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të hënën organizoi tryezën e diskutimit “Propozim plani për auditimet e performancës dhe të pajtueshmërisë” për sezonin auditues 2026/2027. Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave profesionale kontribuan duke propozuar tema për auditime të performancës dhe të pajtueshmërisë në fusha me interes publik dhe çështje me rendësi që mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit.

Punimet e tryezës i hapi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me palët e interesit përmes së cilit synohet të sigurohet se auditimet e ZKA-së adresojnë çështje që kanë rëndësi për qytetarët dhe për menaxhimin e parasë publike. ZKA ka për qëllim që në sezonin 2026/2027 të ketë një plan me tema prioritare, të auditueshme dhe me potencial të qartë për ndikim.

“Për këtë arsye kemi vendosur që në procesin e konsultimit me shoqërinë civile dhe shoqatat profesionale të përfshijmë edhe diskutimin e temave për auditimet e pajtueshmërisë. Në përzgjedhjen e temave për sezonin 2026–2027, duhet të fokusohemi në shkaqet që qëndrojnë pas tyre, duke analizuar sistemet, proceset dhe faktorët institucionalë që ndikojnë në krijimin dhe përsëritjen e dobësive, prandaj në këtë drejtim kontributi i shoqërisë civile është i rëndësishëm”, deklaroi z. Halilaj.

Temat preliminare të auditimit të performancës dhe të pajtueshmërisë për sezonin 2026/2027 të cilat mbulojnë fusha dhe çështje me interes për qytetarët u prezantuan nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka.

Përfaqësuesit e OShC-së ndanë propozimet dhe rekomandimet e tyre për fusha që prekin interesin publik, duke ofruar sugjerime të vlefshme për përfshirje në planifikimin e ZKA-së për sezonin e ardhshëm. Ata u fokusuan të auditimet që trajtojnë prokurimin, zhvillimin e qëndrueshëm, subvencionet në bujqësi, operimin e institucioneve publike në objekte me qira, kontraktimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale në komuna, funksionimin e pozitave me ushtrues detyre, planin e rritjes dhe zbatimin e reformave, subvencionimin e librave, memorandumet e bashkëfinancimit, hartat zonale në komuna etj.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj bëri mbylljen e tryezës duke prezantuar konkluzionet nga diskutimi si dhe falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në identifikimin e temave të rëndësishme për auditime të performancës dhe të pajtueshmërisë. Ai tha se ZKA do t’i shqyrtojë propozimet nga ky diskutim të cilat do të jenë pjesë e procesit të prioritizimit të temave për sezonin 2026–2027.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në vizitën studimore në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit Me 1 dhe 2 ...
03/09/2026

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në vizitën studimore në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit

Me 1 dhe 2 shtator 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, mori pjesë në vizitën studimore të delegacionit të Kosovës në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit (ANAC). Vizita kishte në fokus vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.

Vizita studimore pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive praktike për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe zhvillimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm. Delegacioni i Kosovës u informua për qasjen e ANAC-ut për parandalimin e korrupsionit dhe vlerësimin e bazuar në rrezik, identifikimin e sinjaleve paralajmëruese në prokurimin publik, si dhe përdorimin dhe integrimin e të dhënave për mbikëqyrjen dhe ndërhyrjet parandaluese.

Në kuadër të agjendës dyditore, pjesëmarrësit diskutuan edhe për bazën kombëtare të të dhënave të kontratave publike, ndërveprueshmërinë e sistemeve, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përdorimin e të dhënave të hapura në funksion të parandalimit të korrupsionit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se kjo vizitë përbën mundësi të rëndësishme për të përfituar nga ekspertiza dhe përvoja e konsoliduar e ANAC-ut, duke theksuar vlerën e saj për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe efektivitetit në përmbushjen e mandatit institucional.

Vizita studimore u realizua nën organizimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe mbështetjen e UNDP-së në Kosovë.

Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i inst...
01/09/2026

Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i institucioneve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën publikoi Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025, i cili përmbledh rezultatet e 131 auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025/2026 dhe paraqet çështjet kryesore të identifikuara në menaxhimin e financave publike, pajtueshmërinë dhe performancën e institucioneve publike. Raporti, gjithashtu përmban rezultatet dhe opinionin e auditimit të “Raporti Vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës” për vitin 2025. Në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor Raporti është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, ka dhënë opinion të kualifikuar. Çështjet kryesore të identifikuara në auditimet individuale të organizatave buxhetore të cilat janë reflektuar në Pasqyrat e Buxhetit të Shtetit dhe kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit të auditimit janë: klasifikimi joadekuat i shpenzimeve në vlerë prej 77milionë euro, mbivlerësimi i pasurive në vlerë mbi 33milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 29 milionë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme mbi katër milionë euro si dhe mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara mbi dy milionë euro.

Lidhur me mangësitë e identifikuara nga 131 auditime ZKA ka dhënë 1,032 rekomandime, prej të cilave 412 për nivelin lokal, 230 për nivelin qendror, 182 për ndërmarrjet publike, 169 për auditimet e performancës si dhe 39 për auditimet e pajtueshmërisë. Fushat me numrin më të madh të rekomandimeve lidhen me pasuritë, investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet, llogaritë e arkëtueshme, të hyrat dhe pagat.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. Ajo u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit si dhe trajtimin e rasteve me dyshime potenciale për mashtrim.
“Auditimi mund të identifikojë problemet dhe të tregojë se çfarë duhet përmirësuar, por ndryshimi real varet nga veprimet që ndërmerren pas auditimit. Inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t’i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.

RVA për vitin 2025 vë në pah se krahas progresit të shënuar në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, prezantimin e të dhënave dhe forcimin e kontrolleve të brendshme, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim të mëtejshëm nga institucionet publike. Nga 766 rekomandime të vlerësuara nga viti 2024, 274 apo 36% ishin zbatuar, 61 apo 8% ishin zbatuar pjesërisht, ndërsa 431 apo 56% nuk ishin zbatuar.
Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025 e gjeni këtu:
https://short-url.cc/1xllL

ZKA: Sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta Zyra ...
31/08/2026

ZKA: Sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë” për periudhën 2022-2025 me fokus në funksionimin e mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicë, si dhe 10 shkolla publike.

Rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në nevojat reale të nxënësve. Ekipet vlerësuese komunale nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa kapacitetet profesionale dhe mbështetëse në shkolla, përfshirë asistentët, mësuesit mbështetës, psikologët dhe pedagogët nuk janë të mjaftueshme dhe shpërndarja e tyre nuk mbështetet në analiza të dokumentuara të nevojave.

Po ashtu auditimi ka evidentuar mangësi në monitorimin dhe koordinimin institucional. Të dhënat për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA) kanë shfaqur mospërputhje me gjendjen e evidentuar në terren, ndërsa në disa raste mungesa e mbështetjes institucionale është kompensuar nga prindërit përmes angazhimit të asistentëve privatë.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen e nxënësve në shkollë, por sigurimin e mbështetjes së duhur që u mundëson atyre të zhvillojnë potencialin dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor. Znj. Spanca tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nevojitet një qasje më e koordinuar dhe e bazuar në nevojat reale të nxënësve në mënyrë që mbështetja të jetë e qasshme dhe në kohë për secilin nxënës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë 14 rekomandime me qëllim të përmirësimit të funksionimit të ekipeve vlerësuese, planifikimit të kapaciteteve mbështetëse, cilësisë së të dhënave dhe monitorimit institucional.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë” e gjeni këtu: https://short-url.cc/1CXiH

Auditimi evidentoi mangësi në menaxhimin e ndërtimeve të larta në FerizajZyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar r...
28/08/2026

Auditimi evidentoi mangësi në menaxhimin e ndërtimeve të larta në Ferizaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt” për periudhën 2023-2025. Rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Ferizajt nuk ka siguruar një proces efikas dhe efektiv për dhënien e lejeve ndërtimore.

Mungesa e Hartës Zonale, zbatimi jo konsistent i planeve rregulluese, mungesa e procedurave të standardizuara dhe kontrollet e pamjaftueshme kanë ndikuar në trajtim jo të njëtrajtshëm të aplikacioneve për leje ndërtimore. Në rreth 80% të rasteve të audituara, aplikacionet/propozimet për kushte ndërtimore kanë qenë jo të plota, si dhe janë evidentuar mospërputhje në parametrat urbanistikë dhe dokumentacionin teknik.

Inspektimet nuk kanë qenë efikase dhe efektive për të siguruar ndërtimin në përputhje me lejet e lëshuara. Asnjë nga objektet e audituara nuk ishte inspektuar në të gjitha fazat e ndërtimit, ndërsa rreth gjysma e tyre ishin inspektuar vetëm një herë.

Dy raste të ndërtimeve ishin në kundërshtim me lejet, si dhe së paku 20 objekte të ndërtuara në pesë viteve të fundit ishin të banuara pa certifikatë të përdorimit, ndërsa edhe në rastet kur certifikatat e përdorimit ishin lëshuar, janë evidentuar mangësi në procedura dhe dokumentacion përkatës.

Po ashtu Komuna nuk ka pasur transparencë në procesin e dhënies së lejeve dhe certifikatave të përdorimit. Në uebfaqe mungojnë informatat e rëndësishme për lejet, certifikatat e përdorimit dhe trajtimin e ankesave, ndërsa nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e qytetarëve në konsultimet lidhur me dokumentet e planifikimit hapësinor.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për Komunën e Ferizajt dhe një rekomandim për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt” e gjeni këtu: https://short-url.cc/1x0PQ

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në...
27/08/2026

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën e BIRN-it

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga BIRN Kosova, ku u diskutuan çështjet që lidhen me korrupsionin në qeverisjen lokale, licencimin, planifikimin urban dhe financimin e fushatave zgjedhore lokale.

Në kuadër të panelit Auditorja e Përgjithshme, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”.

Znj. Spanca tregoi se auditimi ka vlerësuar mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar procesin e ndërtimeve të larta, nga planifikimi urban dhe dhënia e lejeve, deri te inspektimi dhe pajisja me certifikatë përdorimi.

Sipas rezultateve të auditimit, Komuna nuk ka krijuar një sistem të integruar, të standardizuar dhe efektiv për menaxhimin e këtij procesi. Dobësitë janë evidentuar përgjatë gjithë ciklit, duke filluar nga planifikimi urban, dhënia e lejeve, inspektimi dhe deri te certifikata e përdorimit.

Znj. Spanca tha se këto mangësi krijojnë pasiguri edhe për qytetarët, veçanërisht lidhur me sigurinë e banesave dhe të drejtat pronësore.

Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime, të cilat synojnë forcimin e planifikimit urban, rritjen e kontrolleve gjatë lëshimit të lejeve, qartësimin e përgjegjësive, përmirësimin e inspektimeve, parandalimin e vonesave në inkasim dhe funksionalizimin e sistemit e-Leja, përmes të cilit do të mund të përcillej i gjithë procesi nga leja deri te certifikata e përdorimit.

ZKA: Masat për fuqizimin e grave nuk kanë siguruar përfaqësim të kënaqshëm në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëseZyra Ko...
27/08/2026

ZKA: Masat për fuqizimin e grave nuk kanë siguruar përfaqësim të kënaqshëm në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” për periudhën 2020 –2024. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.

Ndonëse është shënuar progres në përfshirjen e grave në shërbimin civil ku gjatë periudhës së audituar 2020–2024, ato përbënin 42% të të punësuarve në shërbimin civil, megjithatë nga 1,459 pozita drejtuese prej tyre 988 mbaheshin nga burrat dhe 471 gratë. Kjo tregon se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat vendimmarrëse.

Auditimi ka konstatuar se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoret në raste të veçanta dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nën-përfaqësimit të grave. Edhe zhvillimi profesional nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së grave për avancim në karrierë.

Mangësi janë evidentuar edhe në regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, si dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo ka kufizuar analizën e përfaqësimit gjinor, monitorimin e progresit dhe planifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse. Znj. Spanca theksoi nevojën që institucionet ta shndërrojnë barazinë gjinore nga një parim i përgjithshëm në veprime konkrete, të zbatueshme dhe të monitorueshme, duke përdorur më aktivisht masat afirmative, zhvillimin profesional dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë.

Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” e gjeni këtu: https://tinyurl.com/4hyzc373

ZKA-ja prezantoi rezultatet e auditimit për sigurinë e nxënësve në shkolla  Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën...
26/08/2026

ZKA-ja prezantoi rezultatet e auditimit për sigurinë e nxënësve në shkolla

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën mbajti tryezë pune ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të auditimit të performancës “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”.

Përveç drejtuesve më të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në tryezë morën pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit.

Diskutimi u përqendrua në gjetjet e auditimit dhe në nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional për përmirësimin e sigurisë së nxënësve në shkollat publike.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se siguria e nxënësve në shkolla nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon një zinxhir të pandërprerë përgjegjësie dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve. Ajo theksoi se institucionet përgjegjëse kanë vendosur mekanizma dhe kanë ndërmarrë iniciativa për rritjen e sigurisë në shkolla, megjithatë nuk funksionojnë si një sistem i koordinuar, i standardizuar dhe plotësisht efektiv.

Auditorja e Përgjithshme tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit, koordinimi më i mirë ndërinstitucional, raportimi i plotë i rasteve dhe reagimi i shpejtë dhe i koordinuar janë të domosdoshme për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Znj. Spanca deklaroi se ZKA do ta përcjellë zbatimin e rekomandimeve dhe mirëpret që zotimet e institucioneve të shndërrohen në masa konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, përgëzoi ZKA-në për realizimin e këtij auditimi duke thënë se kjo është një prej temave më të rëndësishme në sistemin e arsimit në Kosovë. Ai tha se gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së janë një udhëzues i mirë për përmirësimin e punës dhe performancës tonë.

Z. Çeku tha se përgjegjësia për sigurinë në shkolla është e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve në mënyrë që të krijohet ambient i sigurt. Z. Çeku tha se raporti i auditimit për sigurinë në shkolla është realizuar në një momentum të rëndësishëm, kur Ministria e Arsimit ka filluar hartimin e Strategjisë së Arsimit për të cilën kërkoi kontributin dhe mbështetjen e të gjithëve.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se siguria në shkolla është prioritet i Policisë së Kosovës dhe një prej shtyllave kryesore për ndërtimin e një së ardhme të sigurt të shoqërisë tonë. Ai theksoi se shkolla nuk është vetëm një vend ku fëmijët marrin edukim dhe dije, por është hapësira ku ata formojnë personalitetin, zhvillojnë aftësitë dhe përgatiten për të ardhmen. Prandaj sipas Hoxhës, krijimi dhe ruajtja e një ambienti të sigurt, të qetë dhe gjithëpërfshirës në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët dhe policia mbetet e përkushtuar në përmbushje të këtij misioni.

Zëvendës Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica, foli për punën e Institucionit të Avokatit të Popullit nga aspekti i te drejtave të njeriut, ku tregoi për iniciativat e ndërmarra si dhe për rezultatet dhe rekomandimet e dhëna për institucionet përgjegjëse. Znj. Çavdarbasha Korenica tha se sa i përket të drejtave të fëmijëve edhe sipas standardeve të Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut para edukimit vjen siguria, prandaj të gjithë se bashku duhet të punojmë në këtë drejtim.

Rezultatet e auditimit në mënyrë të detajuar u prezantuan nga Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Ariana Gjonbalaj. Diskutimi i përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit u fokusua të gjetjet e raportit si dhe të zbatimi i rekomandimeve të auditimit.

Në përmbyllje Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se konkluzioni i kësaj tryeze ishte se të gjithë e vlerësuan raportin dhe rezultatet e tij, se rekomandimet e ZKA-së janë të vlefshme dhe u ndihmojnë institucioneve përgjegjëse t’i ndërmarrin masat e nevojshme për të përmirësuar sigurinë në shkolla në Kosovë dhe se ky është mision i përbashkët.

Përdorimi i “Tenderit ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitiveZyra Kombëtar...
25/08/2026

Përdorimi i “Tenderit ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitive

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’ për dhënie të kontratës në prokurim publik”, i cili ka vlerësuar aktivitetet e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe ato të Komunës së Pejës dhe të Suharekës për periudhën 2023-2025.

Rezultatet e auditimit tregojnë se përdorimi i kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitiv në rezultatet e prokurimit publik. Ministria dhe komunat e audituara e kanë përdorur këtë kriter kryesisht në mënyrë formale, pa analiza dhe arsyetime të mjaftueshme dhe pa vlerësuar efektet e tij. Nga gjashtë aktivitetet e prokurimit të audituara, tri ishin zhvilluar me kriterin “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, ndërsa tri me kriterin “çmimi më i ulët”.

Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në përdorimin e të dy lloje të tenderimit sepse nuk është kryer planifikim i duhur para inicimit të procedurave. Nuk janë kryer analiza të duhura të nevojave, ekzaminime të mjaftueshme në terren dhe dokumentim adekuat. Vetëm një nga gjashtë kontratat e audituara kishte projekt kryesor, ndërsa m***e gjeodezike paraprake nuk kishte në asnjërin rast.

Mangësi janë identifikuar edhe në hulumtimin e tregut dhe përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratave, ndërsa çmimet e ofertave ndryshonin në substancë nga vlera e parashikuar.

Auditimi ka konstatuar gjithashtu mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe në trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Në dy raste janë shpërblyer operatorë ekonomik që nuk i kanë përmbushur plotësisht kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas auditimit në tri raste do të mund të kurseheshin së paku 42 mijë euro.

Po ashtu në menaxhimin e kontratave nuk kishte monitorim aktiv dhe menaxhim të duhur të sigurisë së ekzekutimit, gjë që kishte rezultuar me ndryshime të sasive, vonesa dhe rreziqe në realizimin e kontratave.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se kriteri “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” duhet të mbështetet në analiza reale të nevojave dhe kritere që marrin parasysh cilësinë dhe dobinë në afat më të gjatë. Vetëm ndryshimi formal i kriterit të dhënies së kontratës nuk mund të sigurojë vlerën më të mirë për paranë publike.

Për të përmirësuar përdorimin e kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, planifikimin e nevojave, objektivitetin në vlerësimin e ofertave dhe monitorimin e zbatimit të kontratave, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë tetë rekomandime për ministrinë dhe komunat e audituara.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit tenderi ekonomikisht më i favorshëm për dhënie të kontratës në prokurim publik” e gjeni këtu: https://short-url.cc/1CtJG

Address

Ahmet Krasniqi, 210
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:00
Tuesday 08:00 - 16:00
Wednesday 08:00 - 16:00
Thursday 08:00 - 16:00
Friday 08:00 - 16:00

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Zyra Kombëtare e Auditimit/National Audit Office posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share