19/10/2014
OJQ AgroLED në thirrjen e MBPZHR për aplikim për subvencionim të projekteve, ka aplikar me projektin "Digjitalizimi i shërbimeve Këshillimore"
Me datën 15.09.2014 është bërë edhe përzgjedhja e projekteve të cilësuara si me interes për sektorin e bujqësisë dhe për zhvillimin e zonave rurale. Në mesin e projekteve fituese ishte edhe projekti ynë.
Qëllimi i projektit "Digjitalizimi i Shërbimeve Këshillimore" është pasurimi i databazës në modulin unik të “Shërbimeve Këshillimore” ( http://fermaime.com/?id=33) në portalin “Ferma Ime” dhe ofrimi online i këshillave dhe informacioneve që ndërlidhen me sektorin e bujqësisë për fermerët.
Projekti është duke u implementuar nga OJQ AgroLED në bashkëpunim me portalin e vetëm për bujqësi në Kosovë www.fermaime.com
Ideja e re
Në ditët e sotme, teknologjia informative luan një rol shumë të rëndësishëm në përditshmërinë tonë, sidomos në krijimin e lehtësirave për komunikimin dhe marrjen e shërbimeve të ndryshme.
Fermerët kanë nevojë për këshilla profesionale me qëllim të rritjes së prodhimtarisë dhe efiqiencës së tyre. Shërbimet këshillimore do të organizohen në një ueb faqe ne internetit (www.fermaime.com), ku secili fermer do të ketë mundësinë të hyjë dhe të bëjë pyetjet për këshillat që ai ka nevojë.
Shërbimi do të organizohet përmes këshilltarëve komunal bujqësor, të cilët do të merren me këshillimin e fermerëve përmes dërgimit të përgjigjeve në pyetjet e bëra nga fermerët. Pyetjet e fermerëve dhe përgjigjet e këshilltarëve bujqësor komunal do të publikohen në baza ditore.
Përveç kësaj ne do të bëjmë edhe regjistrimin e fermerëve të secilës komunë në pjesën e modulit të destinuar për fermerët e komunave të ndryshme. Me këtë synojmë të zgjerojmë rrjetin e fermerëve të Republikës së Kosovës, ku secila komunë do të ketë fermerët e saj të regjistruar online dhe secili fermer do të ketë profilin e tij personal dhe gjithashtu edhe të dhënat e tij mbi veprimtarinë bujqësore që ai ushtron. Fermerët e regjistruar poashtu do të informohen rregullisht përmes shpalljeve në faqen tonë dhe mesazheve telefonike për trajnimet e ndryshme, hapjen e afateve të aplikimit për subvencione, grante etj.
Ofrimi i shërbimeve këshillimore online do të iu ndihmojë fermerëve në përmirësimin e efiqiencës së tyre dhe rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese. E gjithë kjo do të organizohet me qëllim të rritjes së prodhimtarisë, cilësisë dhe efiqiencës së këtyre fermerëve në përgjithësi. Poashtu ky shërbim do të përmbush edhe kërkesat specifike të fermerëve për këshilla bujqësore për çështjet e ndryshme që ata i preokupojnë. Fermerët do të jenë përfitues të këtij moduli online nëpërmjet të cilit ata do të ngrisin nivelin e njohurive të tyre në fushën e bujqësisë.
Fermerët do të kenë mundësi të parashtrojnë shqetësimet e tyre në çdo kohë dhe me ndërmjetësimin e ekipit tone, ky shqetësim do të publikohet online dhe ata do të marrin përgjigje nga Këshilltarët Komunal dhe Fermerët Liderë, të cilët janë sfiduar me problemin e njëjtë.
Në këtë mënyrë, fermerët do të kenë mundësi të ndajnë praktikat e mira dhe shqetësimet me komunitetin e tyre.